Një kontroll rutinë në rrugën Prishtinë–Pejë ka çuar në zbulimin e një sasie të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike dhe arrestimin e tre personave.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 23:35 të 30 shtatorit, Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në bashkëpunim me Stacionin Policor në Klinë, ka ndaluar për kontroll një Audi A6 në fshatin Dollc.

Në veturë ndodheshin Y.N, B.Z., dhe A.K.,

Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh është gjetur një sasi e substancës së dyshuar si marihuanë, e cila pas matjes ka rezultuar me peshë rreth 1 kilogram.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 1,250 euro para të gatshme, tre telefona mobilë, dy thika dhe vetura Audi A6.

Të tre personat janë intervistuar lidhur me rastin dhe provat e sekuestruara.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga DHTN në Pejë.