Avokati Besnik R. BERISHA ka reaguar pas protestës së 5 tetorit në Prishtinë, duke e vendosur theksin te dallimi mes shtetit dhe pushtetit dhe duke kundërshtuar cilësimet me të cilat Policia e Kosovës identifikohet me drejtuesit aktualë politikë.
Gjatë protestës pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa sipas Policisë së Kosovës, gjashtë zyrtarë policorë pësuan lëndime dhe morën trajtim mjekësor. Policia tha po ashtu se ndaj saj u hodhën mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta.
Në reagimin e tij, Berisha ka kundërshtuar veçanërisht thirrjet me të cilat një pjesë e protestuesve i janë referuar Policisë si “policia e Sveçlës”.
“Policia e Kosovës nuk është as e Sveçlës, as e Kurtit, as e cilitdo ministër apo kryeministër që sot apo nesër ushtron pushtetin. Ajo është Policia e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas Berishës, qeveritë dhe drejtuesit politikë janë të përkohshëm, ndërsa institucionet duhet të mbeten mbi pushtetin e ditës.
“Qeveritë ndryshojnë. Ministrat ndryshojnë. Partitë vijnë e shkojnë. Uniforma mbetet uniformë e shtetit”, ka theksuar ai.
Berisha ka shtuar se polici në detyrë nuk harton politikat e Qeverisë, nuk miraton ligje dhe nuk përcakton agjenda politike, por zbaton ligjin dhe urdhrat e ligjshëm brenda zinxhirit komandues.
“Kjo nuk e bën polic të pushtetit. Kjo e bën polic të shtetit”, ka shkruar Berisha.
Ai ka theksuar se e drejta për protestë është themelore dhe duhet mbrojtur edhe kur drejtohet kundër Qeverisë, Kuvendit apo vendimeve politike, por sipas tij kjo e drejtë nuk mund të shtrihet deri te sulmi, poshtërimi apo lëndimi i policëve në detyrë.
“Policinë duhet ta kritikojmë kur gabon. Pushtetin duhet ta kritikojmë kur tejkalon ligjin. Por policit nuk mund t’ia vendosim mbi uniformë emrin e politikanit që rastësisht ndodhet sot në pushtet”, ka deklaruar ai.
Berisha ka paralajmëruar se trajtimi i institucioneve si pronë e partive politike e dobëson vetë konceptin e shtetit.
“Shteti fillon të dobësohet pikërisht atëherë kur institucionet e tij fillojmë t’i trajtojmë si prona të partive. Qeveritë janë të përkohshme. Institucionet e Republikës duhet të jenë më të mëdha se secila prej tyre”, ka shkruar ai.
Në fund, Berisha ka shprehur respekt për policët që, sipas tij, e kanë kryer detyrën me profesionalizëm pavarësisht fyerjeve, sulmeve dhe lëndimeve.
“Policia e Kosovës nuk është e askujt. Është e Kosovës.”