Një mosmarrëveshje për mobilet e porositura ka eskaluar mbrëmjen e 1 tetorit në Pejë, duke përfunduar me kanosje, ndërhyrje të Policisë dhe sekuestrimin e dy armëve.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 20:00, në rrugën “Kadri Bajri”, është raportuar një incident mes Arben Dreshajt dhe dy personave me të cilët ai kishte pasur marrëveshje për punimin dhe dorëzimin e mobileve.

Sipas deklarimit të deshmitarëve, pasi mobilet ishin sjellë, ai kishte shprehur pakënaqësi me cilësinë e punimit, duke pretenduar se ato nuk përputheshin me specifikat për të cilat palët kishin rënë dakord.

Debati verbal mes tyre më pas dyshohet se ka eskaluar në sharje, ofendime dhe kanosje.

Situata ka marrë një kthesë tjetër pasi Dreshaj ishte shoqëruar në stacion policor.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, derisa ndodhej aty, ai ka pranuar një telefonatë nga njëri prej të dyshuarve, i cili i ka thënë: “Del se te dera jam.”

Pamjet e kamerave të sigurisë së shtëpisë së viktimës kanë treguar tri vetura të dyshuara dhe disa persona në afërsi, çka ka bërë që Policia të dërgojë dy patrulla në lokacion.

Gjatë kontrollit për siguri, te Dion Idrizi është gjetur një pistoletë CZ P-10 C, kalibër 9×19 mm, me një karikator dhe 15 fishekë.

Ndërsa te Asaf Nallbani është gjetur një pistoletë ZORAKI 9 mm, një karikator, një fishek 9 mm dhe një fishek të kalibrit 7.62 mm.

Të dyja armët janë sekuestruar, ndërsa Idrizi dhe Nallbani janë arrestuar dhe intervistuar lidhur me rastin.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.