Dogana e Kosovës ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 13 mijë e 353.98 eurosh në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.
Rasti ka ndodhur më 3 tetor, kur zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë përzgjodhën për kontroll një automjet të tipit “Škoda Superb”, me targa të Maqedonisë së Veriut, të drejtuar nga një shtetas i këtij vendi.
I pyetur nëse kishte diçka për të deklaruar, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk kishte asgjë. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët zbuluan 11 mijë e 980 euro dhe 84 mijë e 500 denarë maqedonas, të cilat ishin të fshehura dhe nuk ishin deklaruar.
Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e mjeteve monetare të padeklaruara, pas konvertimit në euro, arrin në 13 mijë e 353.98 euro. Të gjitha mjetet monetare janë konfiskuar.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se, sipas legjislacionit në fuqi, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10 mijë eurosh ose më shumë, apo kundërvlerën në valuta të tjera, është i obliguar t’i deklarojë ato pranë Doganës së Kosovës.