Policia e Kosovës ka dalë me detaje lidhur me mjetin e dyshuar që u gjet sot në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.

Sipas Policisë, informata është pranuar rreth orës 17:00, pas së cilës njësitet relevante kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë masat e sigurisë, përfshirë evakuimin e qytetarëve dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë.

Në vendngjarje ka dalë edhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksploduese, i cili ka bërë trajtimin profesional dhe të kontrolluar të mjetit të dyshuar.

Policia bën të ditur se mjeti dyshohet se është lëshuar nga ajri, ndërsa ekzaminimet e mëtejme do të vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.

“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën e treguar”, thuhet në njoftimin e Policisë.