Një video e siguruar nga Nacionale shfaq momentin kur dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës godasin një qytetar gjatë tensioneve të krijuara sonte në qendër të Prishtinës.

Ngjarja është filmuar në afërsi të sheshit, teksa pjesëtarët e Policisë po ndiqnin dhe shpërndanin protestuesit e grumbulluar pranë institucioneve.

Në pamjet e publikuara nga Nacionale, dy zyrtarë policorë shihen duke e goditur qytetarin, ndërsa një pjesëtar tjetër i Policisë qëndron pranë tyre. Në video shihet se qytetari goditet edhe me shkop gome.

Pamjet janë regjistruar në një hapësirë të pandriçuar mirë, larg rrugës kryesore, në kohën kur situata në qendër të kryeqytetit ishte tensionuar.

Incidenti ka ndodhur pas përshkallëzimit të situatës pranë Kuvendit dhe Qeverisë, ku Policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Protestuesit po kërkonin miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara.