Një grua është gjetur pa shenja jete pasditen e 2 tetorit në një banesë në Gjilan, pasi banorët kishin vërejtur erë të rëndë që vinte nga apartamenti ku ajo jetonte e vetme.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 14:30, është raportuar se nga një banesë në kompleksin “Albanika”, në rrugën “Lufta e Gjilanit”, po vinte një erë e rëndë dhe ekzistonte dyshimi se brenda mund të ndodhej një person pa shenja jete.

Në atë banesë jetonte e vetme Elfete Dermaku, e cila prej një kohe nuk ishte parë nga banorët.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa rreth orës 15:00, së bashku me ekipin e zjarrfikësve, është hapur dera e banesës.

Brenda, gruaja është gjetur pa shenja jete në dhomën e saj.

Ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen, ndërsa sipas vlerësimeve të para, dyshohet se ajo kishte ndërruar jetë disa ditë më herët.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit lokalë dhe rajonalë, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të sqarojë shkakun e vdekjes.