Konfirmohet raportimi i Sinjalit për identifikimin e personave të dyshuar për shpërthimin e 16 qershorit në rrugën “Brigada 128” në Prizren.

Sinjali raportoi se, pas disa muajsh hetime, Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren kishte identifikuar si të dyshuar Detjon Kastratin, Adonis Kastratin, Lenti Zylfiaj dhe Lindona Zylfiaj.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Togeri Shaqir Bytyqi nga Policia e Kosovës në Prizren.

Sipas tij, pas një pune intensive hetimore janë identifikuar katër persona të dyshuar se kanë marrë pjesë, konkretisht kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Më 2 tetor, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren, janë realizuar bastisje në tri lokacione në rajonin e Kamenicës.

Gjatë bastisjeve janë shoqëruar në objektet e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren tre të dyshuar, dy meshkuj dhe një femër.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë, i dyshuari i katërt është identifikuar dhe aktualisht është në kërkim.

Ngjarja kishte ndodhur më 16 qershor, rreth orës 03:30, kur banorët ishin zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve të fuqishme.

Si pasojë, kishte marrë flakë vetura e avokatit Betim Kadolli, ndërsa ishte dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së Lulzim Hotit.

Nga shpërthimet nuk kishte persona të lënduar, ndërsa dëmi material ishte vlerësuar në rreth 22 mijë euro.

Rasti vazhdon të hetohet me qëllim të ndriçimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.