Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në orët e para të 4 tetorit në fshatin Novosellë të Pejës, ku një grua ka pësuar lëndime serioze trupore dhe më pas është larguar nga shtëpia për t’u strehuar te familjarët e saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 01:50, Policia është njoftuar se viktima, B. C, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, D.C, dhe ishte larguar drejt familjes së saj në fshatin e lindjes.
Viktima kishte lëndime të dukshme dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës. Sipas raportit mjekësor, ajo ka pësuar frakturë në hundë, si dhe lëndime në kokë dhe fytyrë.
Pas trajtimit, ajo është intervistuar nga zyrtarët e njësisë për dhunë në familje, ku ka deklaruar se bashkëshorti kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj edhe më herët.
Sipas deklarimit të viktimës, gjatë incidentit të fundit ajo ishte goditur me shuplaka dhe grushte, ishte kapur për fyti dhe ishte tentuar të ngulfatej. Ajo ka deklaruar gjithashtu se në raste të mëhershme i dyshuari ia kishte drejtuar armën tri herë.
Viktima kishte arritur të largohej nga shtëpia dhe më pas kishte shkuar te familjarët e saj. Ajo nuk ka pranuar strehim institucional dhe ka vendosur të qëndrojë pranë familjes.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa është iniciuar procedurë për “Lëndim të rëndë trupor” në kuadër të dhunës në familje.
I dyshuari është kërkuar disa herë në vendbanimin e tij në Novosellë, por deri më tani nuk është gjetur dhe ndodhet në arrati.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.