Një konflikt brenda firmës “Elko” në Llapnasellë të Graçanicës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi një punëtor ka raportuar se është sulmuar dhe kërcënuar me armë zjarri.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 3 tetor, rreth orës 17:20, në objektin e firmës që ndodhet përgjatë magjistrales Prishtinë–Ferizaj.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Sh. K., ka deklaruar se ishte thirrur në zyrë nga pronari i kompanisë dhe ishte akuzuar se kishte manipuluar me fatura të paplotësuara për mallra, duke dyshuar se paratë i kishte mbajtur për vete.

Situata dyshohet se ka eskaluar kur S.K ka tentuar të largohej nga zyra. Sipas deklarimit të tij, ai nuk është lejuar të dalë, ndërsa ndaj tij është nxjerrë dhe drejtuar një pistoletë.

Më pas, në zyrë kanë ardhur edhe persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë tentuar t’ia marrin telefonin për ta penguar që të kontaktonte Policinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore dhe hetuesit, ndërsa është sekuestruar një pistoletë Beretta, një karikator dhe municion.

Në lidhje me rastin janë shoqëruar dhe intervistuar Alban Gashi, Ahmet Gashi dhe Enes Gashi. Viktimës i është ofruar edhe ndihmë mjekësore, por nuk janë konstatuar lëndime të dukshme.

Pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj njërit prej të dyshuarve është iniciuar rast për “Kanosje me armë”, “Mbajtje të paautorizuar të armës” dhe “Sulm”, ndërsa ndaj dy të tjerëve procedura është iniciuar për “Sulm”.

Rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.