Një incident është regjistruar gjatë protestës me moton “Liria ka emër”, e mbajtur më 5 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku një pjesëmarrës është shoqëruar nga Policia dhe më pas është ndaluar për 48 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 12:50, Fatlum Rushiti është shoqëruar nga njësitet policore, nën dyshimin se gjatë protestës kishte hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës dhe atij të Kuvendit.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë incidentit është dëmtuar edhe një dritare e një zyre.

Gjatë kontrollit te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar katër mjete piroteknike, të cilat janë marrë nga njësia e Krim-Teknikës për procedim të mëtejmë.

Rushiti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”, ndërsa është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.