Rasti i sulmit ndaj një zyrtari policor jashtë detyrës në Gjilan ka marrë zhvillim të ri, pasi hetuesit kanë identifikuar dy personat e dyshuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Xhevdet Mahmutin dhe Armend Mahmutin, të cilët janë intervistuar më 5 tetor në prani të avokatëve mbrojtës.

Ngjarja kishte ndodhur më 3 tetor, rreth orës 19:30, në rrugën “Mulla Idrizi”, në afërsi të hotelit “Kristal”.

Sipas deklarimit të policit, i cili në atë kohë ishte jashtë detyrës zyrtare, incidenti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje në trafik me një veturë të bardhë në të cilën ndodheshin dy persona.

Pasi situata kishte eskaluar në përplasje verbale, zyrtari policor ishte prezantuar si polic, por dy personat dyshohet se kishin vazhduar me fyerje dhe më pas e kishin sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Pas sulmit, të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa polici kishte pranuar trajtim mjekësor.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Hetimet Rajonale në Gjilan kanë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave është bërë identifikimi i të dyshuarve.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Xhevdet Mahmuti dhe Armend Mahmuti janë ndaluar për 48 orë.

Rasti po trajtohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa dosja me shkresat përkatëse i është dorëzuar Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.