Një grabitje me armë është raportuar në orët e para të 5 tetorit në Prishtinë, ku cak ka qenë pompa “Ex Fix” në rrugën “Lidhja e Lezhës”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 03:10, një person i maskuar dhe me kapelë ka hyrë në pompë dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, ka kërkuar para të gatshme.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari ka arritur të marrë një shumë parash dhe më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të panjohur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese, hetuesit, Hetimet Rajonale dhe Forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe veprimet e nevojshme.

Në lidhje me rastin janë intervistuar E. S. dhe Z. Gj, në cilësinë e dëshmitarit dhe të dëmtuarit.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Grabitje”.

I dyshuari ende nuk është identifikuar, ndërsa hetimet për kapjen e tij dhe sqarimin e plotë të rastit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.