Një ngjarje e rëndë me pasoja fatale ka ndodhur pasditen e 4 tetorit në fshatin Shalë të Lipjanit, ku një fëmijë 4-vjeçar ka humbur jetën pasi mbi të është rrëzuar porta metalike e oborrit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 17:45, fëmija kishte tentuar ta hapte portën e oborrit, kur ajo, për arsye që ende nuk janë sqaruar, ka dalë nga vendi i fiksimit dhe është përplasur mbi të.

Si pasojë, i mituri ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Familjarët e kanë dërguar fillimisht për trajtim në Emergjencën e Drenasit, ndërsa më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë.

Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, fëmija ka ndërruar jetë rreth orës 21:00.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit dhe forenzika, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Pas përfundimit të procedurave spitalore, trupi i pajetë i është dorëzuar familjes.

Sinjali u shpreh ngushëllime familjarëve dhe të afërmve për humbjen e rëndë.