Sinjali ka siguruar emrat e tre personave të dyshuar për posedim të narkotikëve, të cilët u arrestuan mbrëmë gjatë një kontrolli policor në fshatin Dollc të Klinës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të arrestuarit janë Ylli Neziri, Behar Zymberi dhe Amerilda Kurti.
Tre të dyshuarit u ndaluan rreth orës 23:35 të 30 shtatorit, kur Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në bashkëpunim me Stacionin Policor në Klinë, ndaloi për kontroll një veturë të tipit Audi A6.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh u gjet rreth 1 kilogram substancë e dyshuar si marihuanë.
Përveç narkotikëve, policia ka sekuestruar edhe 1,250 euro para të gatshme, tre telefona mobilë, dy thika dhe veturën.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga DHTN në Pejë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.