Një rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e 30 shtatorit në Fushë Kosovë, ku një çift bashkëshortësh dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 21:30, në rrugën “Gaula Rosi”, në Lagjen 28, R.H dhe Sh.H janë përfshirë në një konflikt që ka eskaluar nga fjalët në përplasje fizike.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dyshohet se bashkëshortët kanë goditur njëri-tjetrin me shuplaka.
Të dy janë intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje, në prani edhe të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Për të shmangur një përplasje tjetër, R.H ka vendosur të qëndrojë te vëllai i tij, ndërsa Sh.R., është kthyer në shtëpinë e përbashkët.
Rasti mbetet nën trajtim nga organet kompetente.