Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në dy objekte ndërtimi, një në Drenas dhe një në Gjilan, pas konstatimit të parregullsive lidhur me masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimeve në terren është evidentuar se në këto objekte nuk ishin marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.
Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa ka apeluar te punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.