Një mosmarrëveshje në komunikacion ka përfunduar me përleshje fizike mbrëmjen e 1 tetorit në Prishtinë, duke çuar dy persona në stacion policor.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 22:00, në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari”, është raportuar një rrahje mes dy personave.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese, të cilat kanë hasur Betim Gashin dhe një të mitur, identitetin e të cilit Sinjali nuk e publikon për shkak të moshës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, deri te përplasja dyshohet se ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion.

Betim Gashi ishte duke drejtuar një autobus, ndërsa i mituri po lëvizte me motoçikletë, kur mes tyre ka nisur konflikti që më pas ka eskaluar në përleshje fizike.

Të dy janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Sulmi”.

Për rastin janë njoftuar prokurorët kompetentë, përfshirë edhe Prokurorin për të Mitur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Betim Gashi është ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për të sqaruar mënyrën se si nisi përplasja dhe rolin e secilit prej të përfshirëve po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.