Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, ka bërë të ditur se zjarri i së premtes në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë ishte një nga zjarret më të mëdha të dekadës së fundit.

Gashi ka thënë se ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve u mobilizuan për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për ta vënë zjarrin nën kontroll.

Sipas tij, në përballimin e situatës u angazhuan me shpejtësi edhe zjarrfikës që nuk ishin në orarin e rregullt të punës.

“Dje, deri pas mesnate, ekipet tona u përballën me njërin prej zjarreve më të mëdha të dekadës së fundit”, ka shkruar Gashi.

Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë zjarrfikësit që punuan deri në orët e vona të natës, ndërsa falënderim të veçantë ka adresuar për ekipet e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit nga Lipjani dhe Drenasi, të cilat iu përgjigjën thirrjes për ndihmë.

“Respekt për punën, sakrificën tuaj”, ka shkruar Gashi.