Avokati Besnik Berisha ka reaguar pas pamjeve nga protesta kundër Ligjit për Dhomat e Specializuara, ku pati tensione dhe përplasje mes disa protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Berisha ka thënë se protesta, kundërshtimi i një ligji dhe kërkesa për ndryshimin e tij janë të drejta legjitime, por sipas tij asnjë kauzë politike, meritë lufte apo pakënaqësi nuk mund të shërbejë si arsyetim për pengimin apo shtyrjen e policëve.
“Polici që qëndron përballë protestuesit nuk është armik. Nuk e ka miratuar ai ligjin, nuk e ka krijuar ai Gjykatën Speciale dhe nuk është ai adresa ku duhet shkarkuar revolta”, ka shkruar Berisha.
Ai ka theksuar se kundërshtimi ndaj një ligji mund dhe duhet të shprehet fuqishëm, por pa e cenuar dinjitetin e kauzës përmes incidenteve të panevojshme.
Sipas tij, përplasja fizike me pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk e forcon argumentin e protestuesve.
“Të fërkohesh me policët e shtetit tënd nuk është guxim, nuk është patriotizëm dhe nuk e bën kauzën më të drejtë. Përkundrazi, kur argumenti zëvendësohet me shtyrje, kauza fillon ta humbë dinjitetin e vet”, ka deklaruar ai.
Berisha ka shtuar se duhet të ekzistojë një vijë e qartë mes kundërshtimit politik dhe raportit me institucionet e shtetit.
“Mund ta kundërshtosh pushtetin, ligjin, gjykatën apo vendimin, por jo ta trajtosh policin e shtetit tënd si armik”, ka shkruar ai.
Në fund, Berisha ka dhënë edhe një mesazh më të drejtpërdrejtë për raportin me shtetin.
“Kush e respekton shtetin vetëm kur shteti vepron sipas dëshirës së tij, nuk po e respekton shtetin. Po respekton vetëm veten”, ka theksuar ai, duke e përmbyllur reagimin me “Respekt pafund për Policinë e Kosovës!”