Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e dy personave të dyshuar për një rast vjedhjeje.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, në rrugën “Rexhep Bislimi”, në një qendër tregtare në Ferizaj.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka publikuar fotografitë e personave të dyshuar, me qëllim të identifikimit dhe lokalizimit të tyre.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit, të njoftojnë autoritetet përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
“Bashkëpunimi juaj është shumë i rëndësishëm për zbardhjen e rastit dhe garantimin e sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.