Një rast i vdekjes së dyshimtë është regjistruar mbrëmjen e 4 tetorit në Leposaviq, pasi një burrë është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në emergjencë dhe më pas ka ndërruar jetë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 21:50, nga QKMF-ja në Leposaviq është raportuar se një person ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore dhe njësia e hetimeve, ndërsa janë kontaktuar tre dëshmitarë. Dy prej tyre kishin dërguar viktimën në emergjencë, ndërsa një tjetër ishte kamerier në lokalin “Villa Kristina”, ku dyshohet se kishte ndodhur ngjarja.
Viktima është identifikuar si Petar Kovačević, 40-vjeçar.
Rreth orës 23:10, mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij.
Tre dëshmitarët janë intervistuar lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Hetimet Rajonale.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të ndihmojë në sqarimin e shkakut të vdekjes.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.