Sinjali ka mësuar identitetin e tre personave të dyshuar që u ndaluan më 3 tetor në fshatin Shirokë të Suharekës, pas kontrollit të një veture ku u gjetën substanca të dyshuara narkotike dhe pajisje që dyshohet se lidhen me shpërndarjen e tyre.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Arjanit Gjokajn, Faton Berishën dhe Donat Gashin.

Të tre ndodheshin në një VW Polo që u ndalua nga patrulla policore te “Tregu i Ri” në Shirokë. Gjatë kontrollit të veturës dhe personave janë sekuestruar rreth 25.8 gramë marihuanë e dyshuar, 0.83 gramë kokainë e dyshuar, dy peshore digjitale, një grinder, 63 qese plastike të zbrazëta, para të gatshme dhe telefona mobilë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit dy prej të dyshuarve janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Hetimet për rolin e secilit prej të dyshuarve po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.