Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh me raste të shumta policore, nga kapja e personave me drogë, grabitjet e armatosura dhe ngacmimi, te vdekjet e dyshimta dhe aksidentet tragjike.
Kapet me drogë në Suharekë, dy të dyshuar ndalohen për 48 orë
Një kontroll policor në Shirokë të Suharekës ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 25.8 gramë marihuanë, 0.83 gramë kokainë, dy peshore, qese plastike, para dhe telefona.
Sipas burimeve të Sinjalit, në rast janë përfshirë Faton Berisha, Arjanit Gjokaj dhe Donat Gashi. Dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
24-vjeçarja denoncon ish-bashkëshortin për ngacmim
Një 24-vjeçare në Prishtinë ka denoncuar ish-bashkëshortin, duke pretenduar se ai po ua dërgon familjarëve të bashkëshortit të saj të tanishëm fotografi nga koha e martesës së tyre.
Sipas burimeve të Sinjalit, Policia ka kontaktuar të dyshuarin, por ai nuk është paraqitur për intervistim.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Ngacmimi”, në kuadër të dhunës në familje, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Maskohet dhe grabit qindra euro në një pompë në Mitrovicë
Një person i maskuar dhe i armatosur ka grabitur rreth 600 deri në 700 euro në pompën “IP Petrol” në Shupkovc të Mitrovicës.
Sipas burimeve të Sinjalit, grabitja ka ndodhur rreth orës 01:20, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.
Rasti është iniciuar si “Grabitje e armatosur”, ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar.
Vdekje e dyshimtë në Leposaviq, 40-vjeçari ndërron jetë
Një 40-vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e 4 tetorit në Leposaviq, pasi ishte dërguar në gjendje të rëndë në emergjencë.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima është identifikuar si Petar Kovačević. Tre dëshmitarë janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.
Tragjedi në Lipjan, 4-vjeçari vdes pasi porta bie mbi të
Një 4-vjeçar ka humbur jetën në fshatin Shalë të Lipjanit, pasi një portë metalike e oborrit është rrëzuar mbi të.
Sipas burimeve të Sinjalit, fëmija fillimisht është dërguar në Emergjencën e Drenasit dhe më pas në QKUK, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Sulmohen delegati dhe gjyqtarët pas ndeshjes Sigal Prishtina-Ylli
Një incident serioz është regjistruar mbrëmjen e 4 tetorit pas ndeshjes së basketbollit mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 19:10, Policia është njoftuar për sulm fizik ndaj delegatit dhe gjyqtarëve të ndeshjes.
Arian Thaqi, Amar Djokovic, Enes Maxhuni dhe Ngadhnjim Shabani, pasi kishin përfunduar angazhimet, janë përballur me një grup prej mbi 10 personash, të cilët fillimisht dyshohet se i kanë fyer dhe më pas i kanë sulmuar fizikisht.
Të dëmtuarit kanë pranuar trajtim mjekësor. Ata kanë deklaruar se njëri prej personave të përfshirë njihet me nofkën “Cikaqi”, të cilin e kanë identifikuar si udhëheqës të tifogrupit “Plisat”.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulmi”, ndërsa hetimet për identifikimin e të dyshuarve po vazhdojnë.
Grabitje me armë në Prishtinë, maska dhe kapela nuk e ndalën sulmuesin
Një grabitje me armë është raportuar në orët e para të 5 tetorit në Prishtinë, ku cak i një personi të maskuar ka qenë pompa “Ex Fix” në rrugën “Lidhja e Lezhës”.
Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 03:10, një person i maskuar dhe me kapelë ka hyrë në pompë dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, ka kërkuar para të gatshme.
I dyshuari ka arritur të marrë një shumë parash dhe më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese, hetuesit, Hetimet Rajonale dhe Forenzika.
Rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar. Hetimet për kapjen e tij dhe sqarimin e plotë të rastit po vazhdojnë.
Nata në Kosovë
Dhjetëra raste, arrestime, dhunë, armë, përleshje dhe vjedhje.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.