Një përplasje në komunikacion ka përfunduar me sulm fizik ndaj një zyrtari policor që ndodhej jashtë detyrës, mbrëmjen e 3 tetorit në Gjilan.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 19:30, polici po lëvizte me veturën e tij në afërsi të hotelit “Kristal”, me qëllim që të kyçej në rrugën “Mulla Idrizi”, kur një veturë e bardhë me dy persona dyshohet se nuk i ka dhënë përparësi.

Sipas deklarimit të tij, pas këtij momenti ka nisur një përplasje verbale, gjatë së cilës personat në veturën tjetër e kanë fyer dhe i kanë kërkuar të ndalet.

Vetura më pas është ndalur në trotuar, ndërsa polici është ndalur po ashtu dhe është prezantuar si zyrtar policor.

Pavarësisht kësaj, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy personat kanë vazhduar me fyerje dhe, në momentin kur polici ka hapur derën për të dalë nga vetura, dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht.

Si pasojë, zyrtari policor ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Pas sulmit, dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Për rastin janë njoftuar edhe Hetimet Rajonale, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Rasti mbetet nën hetim, ndërsa të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.