Një komentues ka bërë thirrje për ekzekutimin e ish-kreut të UÇK-së, Rexhep Selimit, në hapësirën e komenteve të një postimi të Gazetës Sinjali.
Komenti është bërë në lajmin me titull “Shpirti artistik i Rexhep Selimit nuk u burgos: Shfaqet piktura e tij për UÇK-në”, i cili trajtonte pikturën e realizuar nga Selimi dhe të prezantuar në emisionin “ArtKand” të Top Channel.
Komentuesi përdor emrin Albesian Kelmendi në profilin e tij në Facebook. Sinjali nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur identitetin e personit që qëndron pas këtij profili.
Në koment, personi ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për vrasjen e Selimit, në një reagim që ka ngjallur shqetësim për gjuhën e përdorur ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së.
Thirrje të tilla për dhunë ndaj një personi përbëjnë një çështje serioze dhe nuk mund të trajtohen si thjesht debat apo mospajtim në rrjetet sociale.
Gazeta Sinjali e ka ruajtur komentin si dëshmi të reagimit të bërë në postimin e saj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.