Katër persona të mitur janë arrestuar në Vushtrri, pasi dyshohen për disa vepra penale, përfshirë vjedhje dhe tentim-vjedhje, brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është raportuar pasditen e sotme në një market në Vushtrri, ku disa persona të dyshuar kishin vjedhur një shumë parash dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes me dy motoçikleta.
Si rezultat i veprimeve operative dhe hetimore, policia ka arritur t’i arrestojë katër të dyshuarit në dy lokacione të ndryshme.
Dy prej tyre janë ndaluar në fshatin Pestovë, ndërsa dy të tjerët, të cilët po udhëtonin me motoçikletën tjetër, janë ndaluar në fshatin Gracë të Vushtrrisë, në koordinim me njësitet policore të Stacionit Policor në Obiliq.
Sipas policisë, hetimet kanë zbuluar se katër të dyshuarit, të gjithë të moshës së mitur, dyshohet se brenda një periudhe të shkurtër kanë kryer disa veprime të kundërligjshme.
Fillimisht, ata dyshohet se kanë vjedhur një motoçikletë në Vushtrri, më pas kanë tentuar të kryejnë vjedhje në një market, ndërsa rreth orës 16:00, në një market tjetër, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Si prova materiale janë sekuestruar motoçikletat dhe paratë e vjedhura, të cilat, pas përfundimit të procedurave, do t’u kthehen pronarëve legjitimë.
Policia ka bërë të ditur se, pas konsultimit me Prokurorin për të Mitur dhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, duke marrë parasysh moshën e të dyshuarve, të katër të miturit janë liruar.