Policia e Kosovës ka njoftuar se një protestues është shoqëruar në stacion policor pasi dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore gjatë protestës para Kuvendit.

Sipas Policisë, protestuesit kanë tentuar në raste të caktuara të futen brenda rrethojave të Kuvendit, ndërsa janë hedhur edhe mjete të ndryshme dhe mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore.

Policia ka bërë të ditur se ka kërkuar vazhdimisht që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa dëmtuar pronën publike.

“Policia e Kosovës rithekson se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike”, thuhet në njoftim.

Zyrtarët policorë do të vazhdojnë të jenë në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.